Shqipëria Pamje e përgjithshme

  • Shqipëria është një vend me të ardhura mesatare që, përgjatë dy dekadave të fundit, ka bërë hapa shumë të mëdha në vendosjen e një demokracie të besueshme shumëpartiake dhe të nje ekonomie tregu. Pas kalimit nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim tek Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim në vitin 2008, Shqipëria ka qenë përgjithësisht e aftë të ruajë ritme pozitive rritjeje dhe qendrueshmëri financiare, pavarësisht krizës së vazhdueshme ekonomike.

    Para krizës financiare globale, Shqipëria ishte një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në Europë, duke gëzuar norma reale rritjeje vjetore prej 6%, shoqëruar nga reduktimi i shpejtë i varfërisë. Por, pas vitit 2008 rritja mesatare u përgjysmua dhe në sektorët publikë dhe të jashtëm u krijuan zhbalancime makroekonomike. Ritmi i rritjes u pasqyrua edhe tek varfëria dhe papunësia:  ndërmjet viteve 2002 dhe 2008, varfëria në vend u përgjysmua (në rreth 12.4%) por në vitin 2012 u rrit sërish deri në 14.3 %. Papunësia u rrit nga 12.5 % në vitin 2008 në 17.3 % në tremujorin e dytë të vitit 2015 ku papunësia e të rinjve arriti 34.2  %.

    Ritmet e rritjes mbi 3% gjatë vitit 2011 u moderuan gjatë 2012 dhe 2013, duke reflektuar në këtë mënyrë situatën e përkeqësuar në Eurozonë dhe si situatën e vështirë të sektorit energjetik.. Rritja vazhdoi deri në 2.1 % në 2014, kryesisht për shkak të rritjes në konsum dhe investimet private. Pritet një rikuperim në vitin 2015, por gjithsesi, rritja pritet të mbetet nën potencialin e vendit në planin afatmesëm.

    Tregu i punës në Shqipëri ka pësuar disa ndryshime të mëdha gjatë dekadës së fundit, duke kontribuar në rritjen e produktivitetit. Punësimi formal jobujqësor në sektorin privat është dyfishuar në periudhën ndërmjet 1999-2013, i nxitur në një masë të madhe nga investimet e huaja. Emigrimi dhe urbanizimi kanë sjellë zhvendosje strukturore nga sektori i bujqësisë drejt industrisë dhe shërbimeve, duke i lejuar ekonomisë të fillojë ofrimin e një sërë shërbimesh, që nga sektori bankar e deri tek telekomunikacioni dhe turizmi.

    Pavarësisht kësaj zhvendosjeje, bujqësia mbetet një prej sektorëve më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm në Shqipëri. Ajo është burim kryesor punësimi dhe të ardhurash - veçanërisht në zonat rurale të vendit - dhe përfaqëson rreth 20 % të PBB-së, ndërkohë që përbën gjysmën e punësimit të përgjithshëm. Megjithatë, sektori i bujqësisë i Shqipërisë vijon të përballet me një sërë sfidash, duke përfshirë këtu përmasat e vogla të fermave dhe copëzimin e tokës, infrastrukturën e dobët, kufizimet e tregut, aksesin i kufizuar tek kreditë dhe grantet si edhe institucione të papërshtatshme rurale.

    Me vështrimin tek e ardhmja, Shqipëria është fokusuar tek mbështetja e rimëkëmbjes dhe rritjes ekonomike në një mjedis të jashtëm të vështirë, duke zgjeruar dhe mbështetur përfitimet sociale të vendit dhe duke reduktuar ndërkaq cënueshmërinë nga ndryshimet klimaterike.. Sfidat kyçe për përparimin e Shqipërisë përfshijnë:  konsolidimin fiskal dhe përmirësimin e menaxhimit të shpenzimeve publike, reformën rregullatore dhe institucionale, zvogëlimin e mangësive infrastrukturore dhe përmirësimin e efikasitetit të sistemeve të mbrojtjes sociale dhe shërbimeve kyçe shëndetësore.

  • Grupi i Bankës Botërore ka filluar punën në Shqipëri në vitin 1991 dhe ka mbështetur një sërë projektesh duke synuar zbutjen e menjëhershme të varfërisë dhe sigurimin e mjeteve të qendrueshme dhe zhvillimit afatgjatë për të nxitur rritjen e mëtejshme. Në dy dekadat e përfshirjes në Shqipëri, Grupi i Bankës Botërore ka ofruar mbi 2.2 miliard US$ asistencë përmes angazhimeve të Shoqatës Ndërkombëtare të Zhvillimit (IDA), Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) dhe Agjencisë Multilaterale për Garantimin e Investimeve (MIGA). Portofoli aktual përbëhet nga  nëntë projekte me një total prej  544 milionë US$ kredi të IDA-s dhe kredi të IBRD-së.

    Një  Kuadër i ri i Partneritetit me Vendin (KPV) i  Bankës Botërore  për periudhën 2015-2019 u miratua nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutive  në 21 maj 2015. KPV propozon një program indikativ huadhënieje për Shqipërinë deri në 1.2 milionë dollarë për një periudhë pesëvjeçare, që synon të mbështesë aspiratën e vendit për të patur rritje të barabartë dhe integrim në Bashkimin Europian. Tri fushat strategjike të KPV-së janë:

    • Rivendosja e balancave makro-ekonomike
    • Krijimi i kushteve për rritjen e përshpejtuar të sektorit privat, dhe 
    • Forcimi i menaxhimit të sektorit publik dhe ofrimit të shërbimeve
    KPV-ja u parapri nga një Analizë Sistematike për Vendin (ASV), e cila identifikoi pengesat dhe mundësitë kryesore, jo vetëm për rritjen ekonomike në vend, por edhe për reduktimin e varfërisë dhe nxitjen e mirëqenies së përbashkët.

     

  • Me mbështetjen e Grupit të Bankës Botërore, Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm. Fushat prioritetare përfshijnë sektorët e transportit, bujqësisë, energjisë, shëndetësisë, ujit, mjedisit dhe në menaxhimit të sektorit publik.

    Disa prej rezultateve të arritura gjatë zhvillimit të Shqipërisë përfshijnë:

    Arsimi: Banka ka mbështetur tri projekte në sektorin e arsimit. Këto projekte kanë ndihmuar që të ndërtohen ose të rikonstruktohen më shumë se 300 shkolla në zonat prioritare dhe 100 mijë fëmijë kanë përfituar nga shkolla të reja.  Në vitin 2006 u ndërmorën reforma arsimore të rëndësishme dhe me shtrirje të  gjerë. Këto përfshinë reforma në programet mësimore, në përmirësimin e trajnimit të mësuesve, në një shpërndarje më të barabartë të burimeve në qarqe, në përmirësimin e kushteve të mësimit, klasa me më pak nxënës, një rritje në pagën mesatare të mësuesve dhe në rinovimin e përmbajtjes dhe të administrimit të provimit të maturës shtetërore për të siguruar rezultate objective. Reformat vazhdojnë të zbatohen me sukses.

    Projekti Cilësi dhe Barazi në Arsim, me financim të përbashkët të Qeverisë, Bankës Botërore, Bankës Europiane për Investime (EIB) dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës ka ndihmuar që të përmirësohet cilësia e kushteve të mësimit për nxënësit dhe të rritet numri i regjistrimeve në shkollat e mesme të përgjithshme, sidomos nga radhët e të varfërve. Të gjitha shkollat fillore po përdorin programet e reja mësimore dhe tekstet e reja shkollore. Mbi 2000 shkolla nëntëvjeçare dhe t mesme janë pajisur me kompjutera dhe akses në internet duke e ulur raportin nxënës për kompjuter në shkollat e mesme të përgjithshme nga 61 në 16 nxënës për kompjuter. Shkollat nëntëvjeçare u pajisën me 250 laboratorë kimie dhe 250 laboratorë biologjie, ndërsa shkollat e mesme të përgjithshme u pajisën me 100 laboratorë kimie dhe 100 laboratorë biologjie. Në të ardhmen, është e rëndësishme për Shqipërinë që përpjekjet për reformën në arsim të fokusohen në zhvillimin e “aftësive të shekullit të 21” për studentët, dhe kjo të bëhet duke u mbështetur në studime dhe sipas kërkesave të tregut të punës.

    Shëndetësia: Kontributi i sektorit publik për sektorin e shëndetësisë është relativisht i ulët dhe nën mesataren e vendeve të Europës Juglindore. Si rezultat i shpenzimeve të ulëta të sektorit publik, shpenzimet nga xhepi në vendin e shërbimit përbëjnë 60 % të financimit sektorial. Popullsia e varfër përballet me  barriera ekonomike kur ka nevojë për akses tek shërbime cilësore të kujdesit shëndetësor. Qeveria është e angazhuar që të bëjë ndryshime dhe aktualisht po punon për të hartuar politika për financimin e shëndetësisë qëdo të trajtojë këto probleme. Banka e ka mbështetur sektorin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri përmes tri projekteve (Projekti për Rehabilitimin e Shërbimit Shëndetësor, 1994, Projekti për Rimëkëmbjen e Shëndetësisë, 1998, Projekti për Modernizimin e Sistemit të Shëndetësisë, 2008). Duke financuar ndërtimin, rikonstruktimin dhe pajisjen e 115 qendrave në zonat më të varfra të vendit, financimet e Bankës kanë kontribuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore bazë për parandalimin dhe kurimin. Me asistencën e Bankës dhe të donatorëve të tjerë qeveria ka ngritur shërbime të reja spitalore në tri qytete kryesore dhe ka përfunduar masterplanin e përgjithshëm për zhvillimin e ardhshëm të një spitali të vetëm terciar në kryeqytet. Është dhënë mbështetje për të  çuar para reforma në fusha politike kyçe si decentralizimi, sigurimi shëndetësor dhe transparenca në shpenzimet e sektorit. Projekti për Modernizimin e Sistemit të Shëndetësisë e ndihmoi qeverinë për të përmirësuar aksesin fizik dhe financiar në shërbimet e cilësisë së lartë të kujdesit shëndetësor parësor, sikurse edhe forcimin e institucioneve. Të gjitha spitalet rajonale sikurse edhe qendrat e kujdesit shëndetësor parësor janë mbështetur me pajisjet kryesore mjekësore. Instituti i Sigurimeve Shëndetësore është pajisur me pajisjet e nevojshme të teknologjisë së informacionit për zyrat qendrore dhe rajonale. Një gamë gjithëpërfshirëse reformash janë mbështetur përgjatë projektit. Banka Botërore po mbështet aktualisht sektorin e shëndetësisë në Shqipëri përmes Projektit për Përmirësimin e Sistemit Shëndetësor (2015), i cili fokusohet në përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor. Projekti synon të forcojë menaxhimin dhe qeverisjen e shërbimeve në spitalet publike, të përmirësojë rregullimet për financimet për shëndetësinë dhe krijimin e sistemeve të infomacionit për shëndetësinë.

    Transporti: Banka Botërore ka përqendruar financim dhe ekspertizë domethënëse për të asistuar sistemin e transportit të Shqipërisë duke ngritur  një rrjet infrastrukturor modern, duke mbështur reformat në sektor dhe duke forcuar menaxhimin e aseteve rrugore. Që nga fillimi i ndërhyrjes së Bankës në sektor janë zbatuar nëntë projekte, të cilat kanë përmirësuar lidhjen dhe aksesin drejt tregjeve dhe shërbimeve të tilla si arsimi, kujdesi shëndetësor, shërbimet administrative dhe bankare dhe në lidhjen e qendrave kryesore urbane me tregun ndërkombëtar. Përmes projekteve që kishin në fokus rrjetet kombëtare dhe rurale, rrugët e vjetra u riparuan, ose u përmirësuan si dhe u ndërtuan rrugë të reja. Projekti për Rrugët Kombëtare (viti 1996) ndihmoi në rehabilitimin dhe në ndërtimin e 90 km rrugë nacionale në korridoret Lindje-Perëndim dhe ato veriore që lidhin Portin e Durrësit me vendet fqinje si Maqedonia dhe Greqia. Njëkohësisht, Projekti i Portit të Durrësit (1998) përmirësoi efikasitetin, sigurinë dhe efektivitetin e portit kryesor të Shqipërisë, duke rritur orientinimin e tij drejt tregtisë dhe duke përmirësuar  infrastrukturën. Projekti për Rrugët Rurale (1995) përmirësoi rreth 975 km rrugë rurale, ndërsa Projekti për Mirëmbajtjen e Rrugëve (2007) kontribuoi në riparimin dhe mirëmbajtjen e 500 km rrugë. Projekti për Transportin në Shqipëri (2007) mbështeti përmirësimin e aksesit për popullsitë e zonave të thella dhe ndërtimin e 26 km të korridorit Durrës-Morinë. Projekti për Rrugët Dytësore dhe Lokale realizoi 110 km rrugë dytësore dhe lokale. Përmes këtij projekti, Banka përgatiti një program të përgjithshëm për të gjithë rrjetin rrugor dytësor dhe lokal që përveç financimit të tij (20 milionë US$) mori rreth 350 milionë US$ nga donatorë dhe institucione financiare të tjera ndërkombëtare. Projekti realizoi një lidhje nëçdo lloj moti për shumë komunitete duke përmirësuar aksesin e popullsisë që banon në zonat e thella tek shërbimet kryesore dhe tregjet ekonomike. Projekti Mirëmbajtjes dhe Sigurisë në Rrugë Bazuar në Rezultate (2015) synon të ruajë kushtet dhe përmirësojë sigurinë në rrjetet rrugore, si dhe të forcojë menaxhimin e qendrueshëm dhe efikas të aseteve rrugore dhe praktikave të sigurisë.

    Infrastruktura urbane: Shqipëria ka fatin që të ketë një sërë vendesh mahnitëse dhe karakteristike për të vizituar duke përfshirë një sërë qytetesh bregdetare përgjatë detit Adriatik, qytete historike dhe destinacione të trashëgimisë kulturore që janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Megjithatë, vite të tëra të financimit të pamjaftueshëm për infrastrukturën e qyteteve dhe të rretheve kanë krijuar një akumulim të nevojave kritike për investime në sistemet e ujësjellës-kanalizimeve, menaxhimin e mbetjeve të ngurta, rehabilitimin e rrugëve të brendshme të qyteteve si dhe të mjediseve urbane/urban amenities. Portofoli i Bankës Botërore për Infrastrukturën Urbane po ndihmon që të adresohen këto mangësi. Projekti për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokës (LAMP) mbështeti regjistrimin e  357 383 pronave në zonat urbane, duke u dhënë banorëve dhe bizneseve të drejta të sigurta për pronat. Informatizimi i të dhënave për pronat në disa nga Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) ka reduktuar kohën e nevojshme për të regjistruar një pronë nga 47 ditë në 6 ditë. Projekti ndërtoi një sistem të centralizuar të teknologjisë së informacionit për regjistrimin e titujve të pronëse, i cili përfshiu 10 zyra me lidhje online me noterët dhe përfundoi regjistrimin e 10% te pronave në vend.  Projekti për Përballimin dhe Zbutjen e Rreziqeve nga Fatkeqësitë Natyrore mbështeti furnizimin me pajisje të Qendrës Kombëtare të Komandës dhe Kontrollit dhe ekipeve të përgjegjes ndaj emergjencave civile si dhe  ngritjen e 40 stacioneve të monitorimit hidrologjik dhe meteorologjik dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Programin e Sigurimit të Riskut ndaj Katastrofave (CRIF). Me burime të grantit nga Fondi Global për Reduktimin e Fatkeqësive Natyrore dhe Rimëkëmbjen (GFDRR) qeveria u po mbështet zhvillimin e opsioneve afatmesme dhe afatgjata për reduktimin e rrezikut të përmbytjes për basenin lumor Drin-Bunë, si dhe riparime si pasojë e emergjencave të krijuara nga përmbytjet e viteve të fundit. Projekti në zbatim i Përmirësimit të të Dhënave për Administrimin e Tokës (LADI), një projekt i vogël i asistencës teknike i financuar nga BE dhe i zbatuar nga Banka Botërore, po ndihmon qeverinë të hartojë dhe pilotojë procesin dhe procedurat për përmirësimin e cilësisë së të dhënave dixhitale për kadastrat dhe regjistrimin e tokës, si dhe hartimin e planit kombëtar për për përmirësimin e cilësisë së të dhënave dixhitale dhe përfundimin e regjistrit dixhital të pronave. 

    Ujësjellës-kanalizimet/Water Supply and Sanitation: Shqipëria është e pasur me burime ujore prej 8600 m3 për kokë prej të cilave vetëm 6 përqind tërhiqet çdo vit.Kjo sasi e bollshme ndihmon vendin që të ketë një mbulim të lartë me furnizim me ujë dhe kanalizime për ujrat e zeza. Por mbulimi relativisht i lartë zhvlerësohet nga cilësia e dobët e shërbimit. Pavarësisht bollëkut të burimeve ujore të Shqipërisë, furnizimi me ujë në zonat urbane është i parregullt dhe më pak se gjysma e popullsisë në zonat rurale kanë akses në ujin e siguruar nga ujësjellësit. Së bashku me donatorë të tjerë Banka ka siguruar investime të vazhdueshme për të përmirësuar shërbimet e furnizmit me ujë dhe kanalizimet e ujrave të zeza ndërsa ka kontribuar në masat për ngritjen e institucioneve. Banka po merr rolin kryesor për të ndihmuar qeverinë që të realizojë reforma politikash, të fokusohet në rekuperimin e kostos dhe të nxisë përfshirjen e sektorit privat dhe të komunitetit. Projekti Bashkiak për Ujësjellës-Kanalizimet (2003) mbështeti investime në përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në katër qytete pjesëmarrëse (Durrës, Fier, Lezhë dhe Sarandë) dhe u përpoq të asistonte ndërmarrjet e ujësjellësit për të përdorur një qasje të re për kontrata të menaxhimit ndërqytetas të bazuara në nxitjen e rezultateve, duke pasur si objektiv rritjen e qëndrueshmërisë së tyre financiare. Paralelisht me këtë Projekti për Menaxhimin e Integruar të Ujit dhe Ekosistemeve (2004) ndërtoi impiante për trajtimin e ujërave të zeza në qytetet bregdetare të Durrësit, Lezhës dhe Sarandës. Projekti në zbatim për Investime në Sektorin e Ujrave (WSIP) mbështet investimet prioritare për të përmirësuar cilësinë e performancës së shërbimit të ujësjellësit, si për banorët vendas, ashtu edhe për turistët në rajonin e Durrësit, si dhe reforma kyçe institucionale dhe veprimtari të orientuara drejt mbulimit të kostos operacionale, përmirësimit të qeverisjes dhe kuadrit regullator të sektorit, etj.

    Energjia: Grupi i Bankës Botërore ndërmori rolin kryesor për të mbështetur sektorin e energjisë në Shqipëri përmes disa projekteve që ndihmuan në rritjen e furnizimit me energji dhe sigurinë, ndërkohë që kryhej edhe reformimi dhe ristrukturimi i sektorit për të funksionuar në një mjedis të bazuar tek tregu. Kjo mbështetje luajti një rol kyç për përmirësimin e standardit të përgjithshëm, sigurisë dhe efikasitetit të furnizimit me energji elektrike si dhe për rritjen e efikasitetit të shkëmbimit të energjisë elektrike ndërmjet vendeve fqinje. Përmirësimet në efikasitetit e sektorit të shpërndarjes mbeten një sfidë kyçe. Qeveria ka nisur një program informimi dhe detyrimi për të reduktuar vjedhjen e energjisë dhe përmirësuar mbledhjen e të ardhurave. Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të rivendosur qëndrueshmërinë financiare të sektorit dhe për t’u siguruar se humbjet, pagesat e prapambetura dhe borxhet e këqija do të reduktohen në një nivel të qëndrueshëm, jo vetëm për të ulur presionet mbi buxhet, por edhe për të krijuar një siguri më të madhe të furnizimit me energji. Banka Botërore po financon një projekt 150 milionë US$ për Rimëkëmbjen e Sektorit Energjetik (2014)  për të mbështetur reformat në këtë sektor në Shqipëri, veçanërisht përpjekjet për të përmirësuar qëndrueshmërinë e furnizimit me energji dhe qëndrueshmërinë financiare të sektorit. Një sfidë tjetër është diversifikimi i burimeve të furnizimit me energji dhe reduktimi i cënueshmërisë së sektorit ndaj ndryshimeve të klimës dhe motit. Janë ndërmarrë disa hapa për të reduktuar cënueshmërinë e vendit përmes: mbështetjes së importit të energjisë për një periudhë afatshkurtër për të ruajtur nivelin e përshtatshëm të rezervuareve në kaskadën e Drinit, ndërtimin e  linjës së interkonjeksionit me Kosovën dhe lehtësirave të tjera të funksionimit të tregut. Banka Botërore po udhëheq gjithashtu edhe një program për të forcuar sigurinë e digave në kaskadën e lumit Drin përmes Komunitetit të Energjisë të Projektit për Sigurinë e Digave në Europën Juglindore (2008), së bashku me partnerë të tjerë për zhvillim.

    Bujësia: Bujqësia është një burim kryesor të ardhurash në zonat rurale. Ajo kontribuon me përreth 20 % të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB) dhe përbën pothuajse gjysmën e nivelit të punësimit. Sektori bujqësor i Shqipërisë vazhdon të përballet me një sërë sfidash duke përfshirë fermat e përmasave të vogla dhe copëzimin e tokës, infrastrukturë të dobët, kufizime tregu, akses të kufizuar në kredi dhe grante dhe institucione të papërshtatshme rurale. Banka ka mbështetur Shqipërinë përmes disa projekteve. Ata kanë pasur ndikim pozitiv në reduktimin e varfërisë duke rritur të ardhurat e fermerëve të vegjël dhe duke krijuar mundësi punësimi për ata që kanë nevojë në zonat rurale. Këto projekte kanë kontribuar edhe në qëndrueshmërinë e investimeve të vaditjes dhe të kullimit përmes pjesëmarrjes së fermerëve punë dhe në mirëmbajtje, menaxhimit efikas të sistemeve dhe rikuperimit më të madh të kostos. Më shumë se 335 000 hektare të sistemit të vaditjes dhe të kullimit në Shqipëri janë rehabilituar ose përmirësuar. Kjo sipërfaqe përfaqëson dy të tretat e tokës së vaditur. Janë rehabilituar thridhjetë e tre diga. Më shumë se  100 000 familje kanë përfituar nga skemat e vaditjes. Programi i mikrofinancimit siguroi 47 000 kredi për veprimtari që gjenerojnë të ardhura në 380 fshatra dhe në 8 rrethe. Mbështetja ndaj fermerëve në prodhim dhe tregëtim kontribuoi në rritjen e të ardhurave rurale. Përmes një projekti të financuar nga Banka Botërore katër tregje për shitje me shumicë që u ndërtuan në Korcë, Lushnje, Vlorë dhe Shkodër bënë të mundur marketingun e produkteve bujqësore lokale. Një total prej 145 grantesh iu dhanë fermerëve duke pasur kështu ndikim tek 20 000 fermerë të cilët u ekspozuan ndaj teknologjive të reja. Tani sfida është transformimi i bujqësisë nga një sektor i orientuar drejt prodhimit si mjet jetese në një sektor modern, tregtar, konkurrues, duke nxitur ndërkohë mundësi alternative të ardhurash banorët ruralë që largohen nga sektori. Projekti në zbatim për Burimet Ujore dhe Ujitjen (WRIP) synon të forcojë kapacitetet e qeverisë për të menaxhuar burimet ujore në nivel kombëtar, të basenit të lumenjve dhe nivel lokal, për të përmirësuar performancën dhe qëndrueshmërinë e sistemeve të ujitjes në basenet e lumenjve Drini, Buna dhe Semani, dhe për të zbatuar politika të menaxhimit të integruar  dhe plane të menaxhimit të baseneve të lumenjve.

    Mjedisi: Qeveria e Shqipërisë po zbaton një gamë të gjerë politikash në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe menaxhimit të burimeve natyrore. Vendi po shkon drejt përafrimit gradual të legjislacionit të vet me legjislacionin mjedisor të BE-së. Projekti i përfunduar për Burimet Natyrore dhe Zhvillimin ndihmoi që të reduktohej erozioni duke përmirësuar menaxhimin e ligatinave, pyjeve dhe burimeve për kullota të Shqipërisë si dhe duke krijuar zona ujëmbledhëse. Ky projekt rriti prodhimin dhe të ardhurat duke përmirësuar menaxhimin e burimeve bazuar tek komuniteti në 251 komuna në zona malore të prirura që të preken nga erozioni. Erozioni i tokës ka rënë me 220 000 tonë. Zbatimi  i planeve krijoi rreth 6000 vende pune duke përfshirë 1900 gra dhe 1900 familje përfituese. Përmes rigjenerimit të biomasës komunitetet që varen nga pyjet morën pjesë me sukses në programin global të Fondit të Karbonit që mbështet, si projekt pilot, reduktimin e emetimit të gazrave me efekt serrë përmes biodiversitetit të përmirësuar dhe përmirësimit në menaxhimin e burimeve natyrore si dhe u jep komuniteteve burime shtesë. Projekti për Menaxhimin e Integruar të Zonave Bregdetare mbështeti përmirësimin e infrastrukturës kritike mjedisore publike dhe shërbimet bashkiake në bregdetin jugor. Projekti në zbatim për Shërbimet Mjedisore synon të mbështesë praktikat e menaxhimit të qëndrueshëm të tokës dhe të rrisë përfitimet monetare dhe jomonetare në zonat e zbatimit të projektit, të cilat janë kryesisht zona malore rurale të prirura drejt erozionit. Projekti do të fokusohet kryesisht në rritjen e qëndrueshmërisë financiare, ekonomike dhe institucionale të përdorimit të tokës dhe menaxhimit të burimeve natyrore, si dhe të ndihmojë rritjen e kapacitieteve të fermerëve, organizatave të komunitetit dhe insititucioneve qeveritare për të përdorur me efikasitet fondet e Bashkimit Europian.

    Sektori publik: Me perspektivën e një vendi në pritje për të hapur negociatat me BE-në, Shqipëria ballafaqohet me një sfidë edhe më të madhe për të pasur një kuadër të shëndetshëm për menaxhimin financiar, një administratë publike meritokratike dhe sisteme efikase monitorimi dhe vlerësimi. Performanca e sektorit publik është jetike për ambicjen e vendit për të fituar anëtarësimin në BE dhe Shqipëria ka bërë progres të lavdërueshëm në disa prej fushave të mësipërme.

    Banka Botërore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerë të tjerë për zhvillim, po mbështet një sërë programesh. Përmes disa fondesh besimi po mbështeten forcimi i sistemit të integruar të planifikimit, kontabilitetit dhe raportimi në sektorin publik si dhe ngritja e kapaciteteve në autoritetet e mbikëqyrjes financiare.

     

     

Api


HUADHËNIA

Shqipëria: Angazhimet financiare për vit fiskal (në milionë dollarë)*

*Shumat përfshijnë angazhimet financiare nga IBRD dhe IDA deri më


GALERI FOTOSH

Më shumë foto... Arrow

Burime të tjera

Kontaktet e zyrës së vendit

Tiranë, Shqipëri
Rr."Ibrahim Rugova", Nr. 34
Tiranë, Shqipëri
Tel. (355 4) 2280 650/1
agjokutaj@worldbank.org